Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ka bërë të ditur akuzat ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, dhe dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi dhe biznesmenit Fatmir Bektashi.
Në njofitmin e SPAK, thuhet se Sali Berisha, në cilësinë e kryeministrit, ka kryer veprime aktive për miratimin e një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.
Ish-shefi i qeverisë shqiptare, akuzohet se ka ushtruar presion dhe dhënë urdhra për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi. Në njoftim thuhet gjithashtu se Berisha ka vënë në dispozicion të dhëndrit të tij struktura të administratës shtetërore për të privatëzuar pronën, shkruan Abcnews.al .
Sipas SPAK, Malltezi ka kryer veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë:
-Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.
– Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi.
– Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.