Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 200 euro gjobë ministren Rozeta Hajdari për aksidentimin e të miturës. Si rrethanë lehtësuese e kanë përfshirë edhe “gjendjen jo të mirë ekonomike” të ministres, e cila merr rreth 1700 euro rrogë në muaj nga posti i së pares së MINT-it. Përveç kësaj, gjykata e shkallës së parë e ka vlerësuar edhe si rrethanë lehtësuese sjelljen korrekte dhe shprehjen e keqardhjes ndaj familjarëve të së miturës.
Në aktgjykimin e siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se “…si rrethana lehtësuese mori sjelljen korrekte të pandehurës, cila ka shprehur keqardhje për aksidentin e ndodhur, si dhe ka shprehur keqardhje ndaj të dëmtuarës, si dhe ndaj të ëmës të dëmtuarës, si dhe ndaj familjes së dëmtuarës, kushtet ekonomike të saj…”.
Ministrja me “gjendje të rënduar ekonomike” në deklarimin e pasurisë për këtë vit në Agjencinë Anti-Korrupsion ka të deklaruara që merr 1,321 euro në muaj nga buxheti i Kosovës. Megjithatë, me Ligjin e ri për Pagat në sektorin publik, koeficienti i ministrave është 16.4, gjegjësisht ministrat paguhen afro 1730 euro në muaj.
Arsyetimi në aktgjykim vijon më tej duke thënë se gjykata duke u bazuar në vlerësimin e deklaratës së të pandehurës, në raportin e aksidentit të trafikut, skicën, fotografitë në vendin e ngjarjes, në video-incizimet e CD-së të aksidentit, në dy ekspertiza dhe një super-ekspertizë të komunikacionit, në deklaratat e dëshmitarit, nënës së të dëmtuarës, përfaqësuesit të të dëmtuarës, ekspertimit mjeko-ligjor ka konstatuar se në veprimet e të pandehurës ekzistojnë elementet e kundërvajtjes.
Në aktgjykim thuhet se ministrja Hajdari është obliguar që të paguajë shumën prej 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe shumën prej 900 euro për super-ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko -ligjore të paguajë shumën prej 50 euro.
Ministrja Hajdari është obliguar që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në aktgjykim konfirmohen edhe gjetjet e super-ekspertizës, të cilat ndër të tjera konkludohet se ministrja nuk ka frenuar me kohë.
“Për aksidentin e ndodhur me datën 10.04.2022, duke u mbështetur në te dhënat faktike nga vendi i ngjarjes të prezantuara me dokumentacionin e gjykatës, si dhe analizën rrjedhës teknike te aksidentit, grupi i ekspertëve ka konstatuar këto lëshime teknike në rastin e aksidentit. 1.Këmbësorja ka marrë veprimin e kalimit në rrugë me hapa të nxituar, në mënyrë të pa pritur. Këmbësorja ka marrë veprimin e kalimit të rrugës para automjetit të parkuar( i cili ka zvogëluar fushën e dukshmërisë për drejtuesen e automjetit) pa u siguruar mjaftueshëm se janë plotësuar kushtet e sigurisë për kalimin në rrugë Drejtuesja e automjetit markës “Ford Fiesta” nuk ka treguar kujdesin e duhur gjatë lëvizjes në kushte të qarkullimit në zonën urbane ku kërkesat për lëvizje të këmbësoreve, dhe lëvizje të tjera të pamotorizurara janë më të mëdha, duke reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qellim të evitimit të aksidentit“, thuhet më tej në aktgjykimin e siguruar nga Insajderi.
Florim Shefqeti, avokati i familjes së të miturës që u aksidentua nga ministrja Hajdari, ka thënë të martën për Insajderin se dënimi prej 200 eurosh nuk përkon me gjendjen faktike.
Shefqeti, në një prononcim për Insajderin ka thënë se gjykata do duhej ta kishte parasysh ndryshimin e deklaratës së ministres Hajdari, si dhe super-ekspertizën. Super-ekspertiza ka konstatuar se shefja e dikasterit të MINT-it nuk ka frenuar gjatë momentit të aksidentimit të së miturës.
“Sido që të jetë, mbi këtë bazë, ne konsiderojmë se dënimi i shqiptuar me gjobë dhe këtë lartësi nuk përkon me gjendjen faktike. Edhe ndërrimi i deklaratës, së cilës nuk mund t’i falet besimi kur ndryshon deklarata, por edhe me provat e tjera që është super-ekspertiza, që ka konstatuar se në momentin e aksidentit ka qenë 31 km në orë, ndërkaq në momentin e reagimit ka qenë 30 km në orë. Kemi të bëjmë vetëm me një kilometër në orë, pra fare s’ka pasur frenim”, ka deklaruar ai.
Avokati, pos tjerash, ka bërë të ditur se mbrojtja në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që të pandehures t’i merret patentë shoferi dhe t’i ndalohet automjeti, gjë që s’ka ndodhur.
Para dy vitesh, kur dhe kishte ndodhur aksidenti, Hajdari doli me një sqarim ku ngjalli të qeshura në publik. Në sqarimin e saj Hajdari kishte shkruar se fëmija ishte përplasur për veturën e saj.
“…gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time”, kishte shkruar ministrja.
Në seancën e datës 9, 11 dhe 13 tetor, seancat gjykuese për ministren Hajdari janë mbyllur për publikun më arsyetimin e avokatit të së pandehures se kemi të bëjmë me rastin e aksidentit ndaj një të miture.
Pas njoftimit për dënimin simbolik të ministres Hajdari nga ana e gjykatës, ka pasur reagime nga eksponentë politikë. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, sipas tij “shumari n’mal me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë”.
“Shumari n’mal me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë! Ministrja e shkelë me veturë një vajzë 9 vjeçare, dënohet 200 euro. Kaq ka vlerë për ta një fëmi, 200 euro. E këta të flasin për kapje të shtetit e të gjykatësve. Këta të flasin për korrupsion. Vet janë të korruptuar edhe shpirtërisht! Plagosin fëmijë, e gjykatësit e kapur i dënojnë 200 euro! Dorëheqja e kësaj ministreje nuk mjafton! Jeni mbuluar kokë e këmbë në turp! Të paftyrë!”, shkroi Mustafa në “Facebook”.
Ky nuk është dënimi i parë që ministrja Hajdari ka marrë nga gjykata prej se ka ardhur në pushtet. Rozeta Hajdari u pati deklaruar edhe për mos-deklarim të pasurisë.
Ajo u dënua me 700 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.
Sipas gjykatës, Hajdari, në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor, nuk e ka deklaruar pasurinë ashtu siç e kërkon Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik.
Hajdari kishte pranuar paraprakisht fajësinë para gjykatës duke thënë se ishte krijuar konfuzion pasi ishte shtyrë afati për deklarim të pasurisë së zyrtarëve publikë.
Ministrja Hajdari, përveç rrogës, në pasurinë e saj e ka të deklaruar vetëm një banesë prej 60 metrash katrorë, në vlerë prej 50 mijë eurosh si pronë të përbashkët.