Shqiptimi i gjobave për thyerjen e rregullave në trafik bëhet shpeshherë shkas që shoferët të revoltohen dhe t’i pengojnë zyrtarët policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur dje në Prishtinë, ku Policia ka ndalur një veturë për kontroll, por u përballën me sulm nga shoferja e dyshuar.
Siç mëson Sinjali, 26-vjeçarja e cila po e ngiste automjetin teksa ishte në gjendje të dehur, u kap me zyrtarët policorë pasi e ndaluan, duke i ofenduar derisa situata eskaloi në sulm.
Për ta vënë situatën nën kontroll, e dyshuara është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, por ka refuzuar të deklarohet para hetuesve
Sipas të njëjtave burime, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarës dhe inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.