Politikania Rada Trajkoviq tha sot se Bashkimi Evropian po kërkon nga Aleksandar Vuçiq njohjen de facto të pavarësisë së Kosovës, sepse siç tha ajo e ka premtuar duke pranuar marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.
“Mund të pritet që pas zgjedhjeve Vuçiq të përmbushë të gjitha obligimet që ka pranuar në Bruksel dhe Ohër, të cilat çojnë në njohjen faktike të pavarësisë së Kosovës. Sipas njohurive të mia, ai do të shpallë tashmë më 11 nëntor në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes në Paris se i njeh pasaportat dhe të dokumente të tjera të Republikës së Kosovës”, tha Trajkoviq.
Ajo theksoi se kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të sjellë në Beograd edhe një shkop dhe një karotë dhe se në fund do t’i kërkojë Vuçiqit të përmbushë gjithçka që ka pranuar në periudhën e kaluar.
“BE-ja nuk po i kërkon Vuçiqit asgjë që ai nuk e ka premtuar tashmë. Vuçiq me sa duket ka premtuar se do ta pranojë de fakto pavarësinë e Kosovës dhe Albin Kurti ka pranuar të fillojë procesin e formimit të Asociacionit të Komunave”, tha ajo.
E pyetur se cilat do të jenë pasojat për serbët vendas nëse Beogradi de facto e njeh pavarësinë e Kosovës, Trajkoviq tha se Lista Serbe dhe autoritetet në Beograd ia lanë Prishtinës fatin e serbëve shumë kohë më parë.
“Nuk e di, në thelb, çfarë tjetër mund t’i japë Vuçiq Prishtinës që nuk e ka dorëzuar tashmë. Nuk e di se çfarë ka mbetur nga të drejtat tona në Kosovë, të cilat në thelb varen nga shteti i Serbisë. Në momentin kur pranoi pushtetin legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv të Kosovës, ai ia dorëzoi serbët Prishtinës. Duhet mbajtur mend se Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës ka votuar ligjin sipas të cilit të gjitha pasuritë e shtetit të Serbisë janë bërë pronë e Kosovës”, ka theksuar ajo.
Ajo shtoi se për momentin Serbia ka kompetenca vetëm në shëndetësi dhe arsim.