Dita e tetë e grevës: Minatorët me paralajmërim të frikshëm, vetëm të vdekur keni me na nxjerrë

Dita e tetë e grevës: Minatorët me paralajmërim të frikshëm, vetëm të vdekur keni me na nxjerrë

Ka kaluar një javë prej kur minatorët e “Trepçës” kanë hyrë në grevë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Minatorët e “Trepçës’ janë futur në grevë me kërkesën që t’iu përmirsohen kushtet e punës, t’iu dalin pagat me kohë dhe të shkarkohet menxhmenti, t’i sigurohet sigurimi shëndetësor. Si pasoj e grevës, shumë grevistëve iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore duke bërë që jeta e tyre të vihet në rrezik.

Minatori i “Trepçës” Sami Peci me lot në sy është rrëfyer para deputetëve në Komisonin për Ekonomi. Peci ka kërkuar ndihmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i plotësohen kërkesat e tyre.

“Shpëtona jetën tonë. Leni inatet mes vete sepse minutat janë në pyetje. Hajdeni me neve kemi me shku prej këtu deri në minierë. Bëne grupin sa më shpejtë ju kisha lutë sepse situata është shumë e rënduar”, rrëfen minatori i “Trepçës” me lot në sy.

“Besën po ua jap se të vdektë keni me i nxjerrë”

Ish anëtari i kryesisë së sindikatës së “Trepçës” Gani Osmani ka alarmuar për gjendjen e minatorëve, në Komisionin për Ekonomi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Besën po ua jap te vdektë keni me i nxjerr”, tha ai. Teksa ka shtuar se edhe sikur të ishin 300 mace nëntoke do duhej të ndërmerrej masa.

“Po e ngoni një person qe s’ ia don të mirën shtetit. 300 mace me kanë poshtë për 8 u dashtë me ndërmarr diçka”, tha Osmani.

Ministrja Rizvanolli bojkoton raportimin për grevën në “Trepçë”

Në këtë mbledhje ishte paraparë që ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të raportoi para Komisionit për Ekonomi, për grevën e minatorëve.

Por ministrja Rizvanolli nuk ishte prezent, për shkak se siç u tha, është në vizitë jashtë vendit.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili është prezent në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi tha se është e pakuptimtë të rrezikohet jeta e minatorëve.

“Nuk ka detyrë më primare se kabineti qeveritar të mblidhet e të realizojë kërkesat e juaja legjitime. Është për të ardhur keq kur ministrja nuk vjen në komision qe kemi kërkua dhe gjen shkak që është jashtë vendit. Sipas informacioneve që kam ajo e ka thirrur kryeshefin në ministri dhe zyrtarisht na thotë që është jashtë vendit” – tha Lekaj.

KMDLNj reagon pas largimin nga puna të minatorëve grevistë

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se KMDLNj e dënon fuqishëm vendimin e menaxhmentit të ndërmarrjes Trepça si përpjekje për të ngulfatur dhe pamundësuar një veprim sindikalist përmes frikësimit të atyre që po bëjnë grevë.

“KMDLNj e përkrahë të drejtën e veprimit sindikalist, si e drejtë e njeriut dhe e drejtë ligjore dhe në këtë kontekst e kundërshton fuqishëm largimin nga puna të pesë grevistëve duke kërkuar përgjegjësi konkrete për menaxhmentin që e ka marrë këtë vendim në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut. KMDLNj–ë tërheq vërejtjen se për çdo pasojë që eventaulisht mund ta kenë grevistët, në aspektin shëndetësor dhe material, adresa e përgjegjësisë do të jetë menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça dhe ata që e kanë emëruar këtë menaxhment”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.

Tutje ata kanë bërë thirrje që deputet e Kuvendit të Kosovës të jenë më të zëshëm në këtë drejtim që të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë.

“KMDLNj thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës të reagojnë më zëshëm dhe më fuqishëm për këtë grevë të shpërfillur nga institucionet duke mos e përjashtuar as Kuvendin, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë. Në të kundërtën përgjegjësia do të bjerë edhe mbi ta”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë që nga 24 tetori qindra minatorë dhe punonjës të tjerë kanë hyrë në grevë.

Ata kanë premtuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6 – 10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Në anën tjetër, Kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të disa punëtorëve.

Fjala është për kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin Destan Kerleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani dhe Fevzi Ademi dhe një minator – Esat Meha. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles