Dy javë më parë Gjykata Komerciale mori vendim që të ndërpriten punimet në rrugën “Xhim Xhema”, e njohur ndryshe si rruga “A”. Por, pavarësisht vendimit, punimet në këtë rrugë po vazhdojnë. Gjykata Komerciale konfirmoi se komuna ende nuk ia ka kthyer fletëdërgesën në gjykatë për të konstatuar se është pranuar, derisa Komuna e Prishtinës po pret vendimin e shkallës së dytë për këtë çështje.
Albenora Bekteshi, zyrtare për media në Gjykatën Komercial tha për media se Komuna e Prishtinës ende nuk e ka konfirmuar se i ka shkuar fletëdërgesa lidhur me vendimin për rrugën A, por që dy ditë më parë ka parashtuar ankesë.
“Aktvendimi i Gjykatës Komerciale përkatësisht Departamentit për Çështje Administrative për vendosjen e masës se përkohshme (KA.nr. 181/23 i datë 17.10.2023) ju është dorëzuar palëve në procedurë, paditësit dhe të paditurit. Pas paraqitjes se kërkesës për ndërhyrje në procedurë nga Komuna e Prishtinës, një kopje e aktvendimit i është adresuar Komunës (flete dërgesa nuk është kthyer ende ne gjykatë per ta konstatuar se është pranuar). Megjithatë Komuna e Prishtinës me datë 31.10.2023 ka parashtruar ankesë ndaj këtij Aktvendimit“, ka thënë Bekteshi.
Ndërsa, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë për Insajderin se aktualisht janë në pritje të vendimit të prerë dhe do ta pranojnë atë vendim cilido qoftë ai.
“Vendimi i gjykatës të cilës ju i referoheni është marrë në kuadër të konfliktit administrativ ku kundërpropozues/e paditur është OSHP. Ndërsa ne si Autoritet Kontraktues në këtë rast kemi kërkuar nga gjykata që të njihemi si palë e interesuar në procedurën administrative. Po ashtu duhet të keni parasysh që vendimi për të cilin bëhet fjalë ende nuk e ka marrë formën e prerë. Ne tanimë kemi parashtruar ankesë dhe jemi në pritje të vendimit të shkallës së dytë lidhur me këtë çështje. Prandaj në momentin që pranohet zyrtarisht vendimi i formës së prerë nga gjykata (drejtpërdrejtë ose përmes OSHP), njësia kërkuese përmes menaxherit të kontratës do të zbatoj menjëherë vendimin e gjykatës cilido qoftë ai“, thuhet në përgjigje.
Nga komuna shpresojnë që të aprovohet ankesa e tyre, pasi sipas tyre vendimi i shkallës së parë nuk është i drejtë.
“Përndryshe Komuna e Prishtinës shpreson dhe beson që gjykata e shkallës së dytë në këtë rast do të miratoj si të bazuar ankesën që do të parashtrohet brenda afatit ligjor ashtu që do të anulohet vendimi për miratimin e masës së përkohshme pezulluese. Kjo për arsye se vendimi i shkallës së parë si i tillë manifeston zbatim të gabuar të së drejtës materiale, shkelje të dispozitave procedurale dhe mbi të gjitha vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike“, thanë nga zyra për media e komunës së Prishtinës.
Gazeta Insajderi kishte publikuar hulumtimin për tenderin prej 8.5 milionë eurosh për ndërtimin e Rrugës A në Prishtinë, që iu dha firmës “Sallahu”, ku pronari i saj ishte dënuar për mashtrim.
Ndërsa, me 20 tetor Gjykata Komerciale ka vendosur se punimet në rrugën A duhet të pezullohen.
Në vendimin e siguruar nga Gazeta Insajderi theksohet se vendimi Gjykatës bazohet në atë se pronari i kompanisë që është shpërblyer me tender është i dënuar për falsifikim të dokumenteve.
“Gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit dhe pezullimi i aktivitetit Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”, me , deri në shqyrtimin e pretendimeve te ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale Është më se i duhur që të ruhet interesi publik“, thuhet ndër të tjerash në vendim./insajderi