I ashtuquajturi “ish-guvernator i Kosovës” i vendosur nga krimineli i luftës Sllobodan Millosheviq, aktualisht kryetar i Forumit Kombëtar Serb, Momçillo Trajkoviq, ka thënë se politika dhjetëvjeçare e Aleksandar Vuçiqit ndaj Kosovës do të kurorëzohet me tradhti ndaj interesave kombëtare.
Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, Trajkoviq ka thënë se me njohjen e paralajmëruar të dokumenteve të Kosovës, Beogradi do ta njohë edhe de fakto edhe de jure pavarësinë e Kosovës.
“Aleksandar Vuçiq, në mënyrë antikushtetuese dhe pa u konsultuar me asnjë institucion shtetëror apo kombëtar, në dhjetë vjetët e fundit “ia ka dorëzuar” Kosovës të gjitha elementet e shtetësisë serbe në Kosovë. Tani kur të njohë dokumentet e “të ashtuquajturës” Republikë të Kosovës, do të njohë si de facto ashtu edhe de jure pavarësinë e Kosovës dhe ky do të jetë akti përfundimtar i tradhtisë së lartë të interesave kombëtare serbe”, ka pretenduar ky shërbëtor i Millosheviqit, i cili si duket ende fantazon për politikën e dështuar të shefit të tij të viteve të 90-ta.
Duke komentuar faktin se Vuçiqi po thekson se ai “kurrë nuk do ta nënshkruajë pavarësinë dhe nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, Trajkoviq ka thënë se aleatët e vjetër të shefit të tij, Rusia dhe Kina vendosin për Kosovën në OKB e jo Serbia.
“Vuçiq po manipulon popullin duke thënë se nuk do ta mbështes anëtarësimin e Kosovës në OKB sepse e di që Kina dhe Rusia nuk e lejojnë këtë”, ka pretenduar Trajkoviq.
Presidenti serb, ka shtuar Trajkoviq, u zotua me Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit që të mos pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Për shkak të vendimeve të Vuçiqit, ai “frikohet” se do të ndryshojnë qëndrimet e pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ai nuk do ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës, por do ta njohë atë. Për momentin, Kina dhe Rusia kundërshtojnë pranimin e Kosovës në OKB, megjithatë Vuçiq nuk e përmend anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Nëse Kosova pranohet në UNESCO, e për çka është e qartë se Vuçiqi nuk është kundër, të gjitha manastiret, “pronë” e Kishës ortodokse serbe do të marrin statusin e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës dhe Serbia nuk do të ketë më ndikim në “mbrojtjen” e tempujve më të rëndësishëm kulturorë dhe historikë serbë”, ka pretenduar ai.
I pyetur se çfarë pasojash do të ketë politika e Vuçiqit për serb në Kosovë, Trajkoviq ka thënë se ka vite që shpërngulja po vazhdon dhe se Lista Serbe po bën “shqiptarizimin e komunave serbe” në jug të Ibrit.
I pyetur se sa i rëndësishëm do të jetë për komunitetin serb formimi i Asociacionit, Trajkoviq ka thënë se, nëse formohet, ky Asociacion do të jetë nën kontrollin e “të ashtuquajturës” Kosovë e pavarur.
“Kur të formohet Asociacioni brenda sistemit të Kosovës, do të jetë fundi përfundimtar i shtetit serb në Kosovë. Serbisë do t’i lejohet të financojë vetëm shëndetësinë dhe arsimin në zonat serbe dhe për shkak të procesit të shqiptarizimit do të ndodhë që Asociacioni do të përbëhet vetëm nga komunat në veri të Kosovës”, pretendon ky shërbëtor i vogël por besnik i Kasapit të Ballkanit.