Deputeti i Vetëvendosjes, Jahja Kokaj, ka folur sot në seancën e thirrur për draftin e propozuar nga emisarët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në fillim të fjalimit ai ngacmoi pak deputetin e pavarur, Haki Abazi, i cili më herët në foltore sulmoi deputeten Mimoza Kusari-Lila dhe ish-shefin e tij të partisë, Albin Kurti.
“Unë kam kënaqësinë e veçantë sot të shoh një atmosferë për mua mjaft të lezetshme këtu brenda këtij Kuvendi, përveç që me dallim të zotit Abazi, i cili si duket si një bioritëm jo të mirë sot, ishalla përmirësohet”.
Kokaj tha se zgjidhjet politike ndikohen nga zhvillimet botërore, prandaj tha se është një zgjidhje optimale.
“Kanë shkuar me një mesatarizim duke ruajtur raportet me ndërkombëtarët, por deri në kufirin e caktuar dhe duke dhënë mundësi kohore dhe logjike për të gjetur optimalen, ngase zgjidhjet e tilla komplekse shumëdimensionale, pra sistemet e tilla komplekse s’kanë një zgjidhje ideale, idealja është në qiell ka ardhur deri te një zgjidhje konsideroj optimale”.
Ai tha se ai që ka më pak fuqi është më i dëmtuari.
“Zhvillimet politike sepse derisa ne këtu flasim, dhjetëra-qindra fëmijë e tjerë, pra derdhet gjaku gjithandej dhe se është një urgjencë gjeopolitike ku kërkohet me urgjencë të zgjidhet ky problem dhe nganjëherë në mënyrë shumë imponuese. Në këtë situatë gjithmonë ai që ka më pak fuqi është më i dëmtuari dhe mu për këtë arsye konsideroj që ekziston ledhatimi edhe nga miqtë tanë – ledhatimi i Serbisë”.