Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i ka lëshuar një fjalim të kryeministrit Kurti më 2011 në foltoren e Kuvendit kur fliste për kushtëzimin e dialogut.
Kurti në replikë i tha se kjo më shumë po duket “si një orvatje për një film dokumentar për mua. Më keni thirrë për të raportuar për takimin e 26 tetorit në Bruksel. Raportova për krejt çka duhet. Isha shumë respektues dhe i sjellshëm. Fjalimi që e lëshuat është para datës 8 mars 2011. Të sugjeroj t’i gjesh ato të viteve 2006-2007 – janë më të forta. Unë kam kundërshtuar edhe komunat mbi baza etnike mbi planin e Ahtisarit”.
Kurti tha se kjo është trashëgimia e opozitës aktuale dhe se i duhet të merret me të “jo nga dëshira, por nga detyra”.
Kryeministri Kurti tha se fjalimet e tij të mëparshme tregojnë se “qysh është dashur me qenë ndryshe arkitektura e shtetit të Kosovës”.
Ai po ashtu tha se gjatë qeverisjes së tij s’janë mbajtur zgjedhjet e qeverisë as referendumi i Serbisë.
“18 ditë pasi që e lëshova zyrën u mbajtën zgjedhjet e Serbisë. Kurrë s’janë arrestuar më shumë kriminelë sesa këto dy vjet e gjysmë. I bëjmë edhe të tjera, por një nga një. Të dëshiroj sukses në montimin e materialeve të filmit dokumentar”.
Në replikë, Musliu-Shoshi tha se e kupton Kurtin si ndihet dhe se nëse do të kishte dokumentar për Kurtin ajo tha se do të ishte i zhanrit komedi.
“Filmi ka me qenë goxha i rëndë. Më shumë film komik, ku personazhi kryesor do të ndihej tradhtar”.
Ajo tha se nëse qeveritë e kaluara do të donin ta themelonin Asociacionin do ta bënin të papenguar nga Kurti.
“Kurrfarë faktori s’ke qenë që me ndalu themelimin e Asociacionit”, tha ajo.