Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar se pas moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare që e kishte nënshkruar në Uashington Qeveria që u drejtua nga Avdullah Hoti, politika e jashtme kishte nevojë për një hov të ri.
Ai ka thënë se Kosova e ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai ka përmendur edhe aplikimin për anëtarësim në BE, anëtarësimin në Partneritetin për Qeverisje të Hapur dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
“Pas moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare që kishte vendosur Qeveria që u drejtua nga tani deputeti Hoti, politika jonë e jashtme kishte nevojë për një hov të ri. Aplikuam dhe kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sepse e meritojmë. Dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar, sepse Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë. Ndërkohë këtë vit u anëtarësuam në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).
Kurti ka thënë se MPJD ka realizuar mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit, derisa shton se në Kosovë kanë ardhur 60 delegacione të larta dhe se Kosova ka marr pjesë në 50 konferenca ndërkombëtare.
“Ministria e jonë e Punëve të Jashtme realizoi mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit. Vendi ynë mirëpriti 60 vizita të delegacioneve të larta, dhe morëm pjesë në afër 50 Konferenca ndërkombëtare. Nënshkruam 109 marrëveshje ndërkombëtare dhe 123 memorandume, protokolle dhe marrëveshje ndërinstitucionale me shtete të ndryshme.”
Ai ka thënë se objektet e ambasadës në SHBA, Senegal dhe Britani i kanë kthyer në pronësi të Kosovës. Kurti u zotua se do të vazhdojnë me blerjen e objekteve të reja.
“Objektet e ambasadës së Kosovës në ShBA dhe Mbretëri të Bashkuar i kthyem në pronë të Kosovës, duke i bërë ato shtëpi të përhershme të Republikës sonë në këto dy vende mike të pazëvendësueshme. Ngjashëm vepruam edhe në shtetin e Senegalit. Do të vazhdojmë me blerjen e objekteve për të demonstruar seriozitetin e vendit tonë dhe njëkohësisht për të kursyer qiratë e larta që janë paguar.”
Kurti ka thënë se kanë mirëmbajtur marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatë.
“Mirëmbajtëm marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatët tanë. Dëshmuam vlerën, mirënjohjen dhe gatishmërinë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e strehimit të refugjatëve afganë. Vërtetuam orientimin tonë euro-atlantik kur u rreshtuam me demokracitë e botës në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Treguam fisnikërinë dhe mikpritjen tonë duke pranuar dhe mbështetur financiarisht deri më tani 18 gazetarë ukrainas dhe pesë gazetarë afganë.”
Kurti ka shkruar se janë angazhuar për miqësi të reja dhe raporte më të afërta – hapja e misionit diplomatik në Poloni, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Timorin Lindor, avancimi i statusit të Zyrës së Kosovës në Greqi.
“Në të njëjtën kohë u angazhuam edhe për miqësi të reja dhe raporte më të afërta. Gjithçka është gati për hapjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Poloni. Vendosëm marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor. Avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, një nga pesë vendet mosnjohëse në BE. “
“Vendosëm ligjshmërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe shfuqizuam vendime arbitrare dhe punësime të jashtëligjshme. Si rezultat, rritëm nivelin profesional të diplomatëve dhe përmirësuam dukshëm shërbimet konsullore në ministri dhe në misionet jashtë vendit.”
Ai ka thënë se politika e jashtme është reflektim i qeverisjes së brendshme. Kurti ka përmendur heqjen e vizave për Kosovën, që prej 1 janarit qytetarët mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shëngen.