Manchester City ka siguruar kalimin për në raundin e 16-të në Ligën e Kampionëve.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola fitoi sonte me lehtësi ndaj Young Boys, duke regjistruar kështu fitoren e katërt rresht.
Ndeshja e zhvilluar në “Etihad Stadium” përfundoi me rezultatin 3:0.
Erling Haaland (23’ penallti, 55’) shkëlqeu me dy gola në fitoren e “Qytetarëve”, teksa goli tjetër u shënua nga Phil Foden (45+1’).
Skuadra zvicerane luajti me një futbollist më pak nga minuta e 53-të, pasi Sandro Lauper u përjashta pas kartonit të dytë të verdhë.
Për reprezentuesin kosovar, Donat Rrudhani, sonte nuk pati minuta te kampionët në fuqi të Zvicrës.
Manchester City pas kësaj fitore ka 12 pikë dhe është lider në Grupin G, duke siguruar kështu kalimin për në fazën tjetër të garës.
Kampionëve në fuqi të Evropës i mbetet në vazhdim vetëm që të sigurojnë edhe pozitën e parë, pasi momentalisht kanë vetëm tri pikë më shumë se Leipzigu.
Young Boys është në pozitën e fundit me vetëm një pikë.