Në orët e para të së mërkurës, ka ndodhur një incident në Leposaviq, ku janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri që dyshohet se janë shkrepur nga dy zyrtarë policorë që po intervenonin në një rast.
Rasti ka ndodhur pasi policët e Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë kanë dhënë urdhër që një veturë të ndalojë, shoferi i së cilës më pas tentoi t’i godas.
Gjithçka ka ndodhur në orën pas mesnate, kur njësia policore ishte nën vëzhgimin e veturës, që dyshohet se po barte emigrantë në mënyrë të kundërligjshme.
Intervenimi i zyrtarëve policorë ishte i shpejtë, por shoferi i dyshuar shpërfilli urdhrat e Policisë pasi zbriti nga automjeti emigrantët dhe më pas në tentativë për të ikur, dyshohet se i ka rrezikuar policët.
Sipas informacioneve të para, i njëjti ka tentuar që t’i godas me veturë policët, gjë që i vuri në lëvizje zyrtarët policorë dhe si rezultat dy prej tyre po dyshohet se kanë shtënë me armët zyrtarë në drejtim të automjetit.
Zyrtarët policorë që u përfshinë në këtë rast, kanë kërkuar asistencë në vendin e ngjarjes, me ç’rast njësitë përkatëse të Policisë, bashkë me hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, ka thënë se pasi drejtuesi i veturës nuk i është bindur urdhrit të Policisë, ai ka tentuar t’i sulmojë zyrtarët policorë.
Ai ka bërë të ditur se në këtë incident, zyrtarët policorë nuk janë lënduar.
“Rasti ka ndodhur sot, janë dyshuar për kontrabandë me migrantë, zyrtarët policorë nuk janë lënduar”, ka thënë Elshani.
Elshani ka vijuar të shtojë se personi që ka tentuar sulmin me veturë është në kërkim nga Policia e Kosovës, por ende nuk është arrestuar.
Gjithashtu, sipas tij, 10 emigrantë që ishin në veturë janë dërguar në stacionin e Policisë për hetime të mëtejshme.
“Personat të cilët kanë tentuar të godasin me veturë zyrtarët policorë janë në kërkim nga Policia e Kosovës, nuk janë arrestuar, ndërsa 10 emigrantë janë dërguar në stacionin e Policisë për hetime të mëtutjeshme”, ka thënë Elshani.