Në Prekaz të Skenderajt, gjatë së martës janë gjetur mbetjet mortore të tre personave. Ato dyshohet se i takojnë personave të zhdukur gjatë luftës.
Punimet në malet e këtij fshati do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim varësisht nga kushtet atmosferike. Kjo meqë aty dyshohet se mund të gjinden edhe eshtrat e dy personave tjerë.
“Ka ende punë për të bërë dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe më tutje, ne po dyshojmë që mund të gjinden mbetje mortore edhe të së paku dy personave këtu”, tha Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Megjithkëtë, identifikimi i tyre mund të zgjasë me muaj, pasi kjo procedurë kryhet jashtë vendit. Por, familjarët e të zhdukurve thanë se presin që kjo të kryhet sa më parë.
Skenderaj ka gjithsej 113 persona të zhdukur, derisa eshtrat, siç merr vesh Klan Kosova mund t’u takojnë banorëve të fshatrave Polac, Rezallë, apo Morinë.