Drejtori i spitalit Al-Shifa në Gaza, Muhammad Abu Salmiya, ka thënë se stafi dhe pacientët e këtij spitali ndodhet disa minuta larg vdekjes.
Në një prononcim për Al Jazeera, ai ka theksuar se kompleksi i spitalit është rrethuar dhe godinat e spitalit janë në shënjestër.
“E vetmja gjë që mund të them është se kemi filluar të humbasim jetë. Pacientët po vdesin çdo minutë, viktimat dhe të plagosurit gjithashtu po vdesin – madje edhe foshnjat në inkubatorë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka treguar se një fëmijë në inkubator ka vdekur si pasojë e kushteve të rënda në spital.
“Kompleksi i spitalit është rrethuar dhe godinat e spitalit janë në shënjestër. Çdo person që lëviz brenda kompleksit është në shënjestër. Forcat okupuese izraelite janë jashtë, duke penguar çdo person të lëvizë”, ka shtuar ai.
“Një anëtar i një ekuipazhi mjekësor që u përpoq të arrinte në inkubator për t’u dhënë një dorë ndihmë foshnjave të lindura brenda, u qëllua dhe u vra”, ka shtuar ai.
Sipas tij, spitali ka mbetur pa energji, internet, madje edhe pa ujë dhe pajisje mjekësore.
“Jemi shkëputur totalisht nga e gjithë bota, jemi disa minuta larg vdekjes së afërt. Jemi të bllokuar, kemi dërguar shumë SOS në mbarë botën – nuk ka pasur asnjë përgjigje, asnjë përgjigje”, ka thënë Muhammad Abu Salmiya.