Izraeli e bombardoi me breshëri raketash Qytetin e Gazës gjatë natës së shtunë dhe mëngjesit të së dielës, derisa forcat e saj tokësore luftuan me militantët e Hamasit pranë spitalit më të madh të këtij vendi, ku zyrtarët shëndetësorë thanë se mijëra mjekë, pacientë dhe të zhvendosur kanë ngecur brenda tij pa rrymë dhe pa furnizime.
Në një fjalim televiziv të shtunën mbrëma, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i hodhi poshtë thirrjet e vazhdueshme ndërkombëtare për një armëpushim, duke thënë se nuk do të ndodhë nëse nuk lirohen të gjitha 240 pengjet që grupi radikal Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – i rrëmbeu më 7 tetor gjatë sulmeve që e nxitën këtë luftë.
Ai tha se Izraeli do ta përdorë “tërë fuqinë” në këtë luftë, shkruan AP.
Izraeli është zotuar për t’i dhënë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Gazë dhe për t’ia shkatërruar të gjitha kapacitetet ushtarake, duke i fajësuar militantët për dëmet ndaj 2.3 milionë palestinezëve të ngecur në territorin e rrethuar.
Por, Izraeli është përballur me trysni të madhe ndërkombëtare për shkak të numrit të madh të civilëve të vrarë në Gazë.
Në Qytetin e Gazës, banorët raportuan për sulme të mëdha ajrore dhe granatime gjatë natës, përfshirë në zonën përreth spitalit Shifa.
Izraeli, pa dhënë prova, e ka akuzuar Hamasin e po e përdor spitalin Shifa si qendër të komandës dhe se nën të ka ndërtuar bunkerë. Këto akuza janë mohuar nga Hamasi dhe stafi i spitalit.
“Ne e kaluam natën në panik duke pritur ardhjen e tyre”, tha Ahme dal-Boursh, një banor që po strehohet në Shifa. “Ata janë jashtë, jo larg nga portat e spitalit”, theksoi ai.