Ditën e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Kryeministri Kurti e përgëzoi ambasadorin për detyrën e re. Ai vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve tona, duke theksuar rëndësinë e thellimit dhe avancimit të bashkëpunimit tonë. Biseduan për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku bashkëpunimi midis shteteve duhet të jetë i bazuar në demokraci e siguri, në orientimin dhe vlerat e NATO-s dhe BE-së.
Kryeministri Kurti veçoi marrëveshjet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, zbatimi i të cilave forcon marrëdhëniet tona dhe i sjellë qytetarët më pranë njëri-tjetrit. Ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë e pozitiv në jetën e tyre, të bizneseve e më gjerë.
Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kanë sjellë nënshkrimin e gjithsejtë 184 marrëveshjeve, protokolleve e memorandumeve.
Ndërkaq, ambasadori Malaj shprehu përkushtimin e tij për të çuar më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera. Ai theksoi që ndihet i nderuar dhe i lumtur që do të shërbejë në Kosovë.
Duke i uruar suksese në këtë angazhim të ri, Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Malaj për takimin e bisedën e frytshme.