Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është e zëshme për çështjen e Kosovës, ka folur për paralajmërimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia po tenton të nisë një luftë në Ballkan.
Përmes një postimi në platformën X, Kearns ka thënë se këto paralajmërime i kishte bërë ajo vetë muaj më parë, kur tha se serbët po i mbushin manastiret dhe kishat ortodokse në Kosovë me armë, të cilat, sipas saj, po i bartin nga Serbia përmes autoambulancave.
Ajo u shpreh se këto paralajmërime të saj, ishin hedhur poshtë.
“Kam paralajmëruar vazhdimisht se na duhet të gjejmë shtyllën tonë kurrizore në Ballkan dhe të mos përsërisim dështimet e parandalimit. Ballkani është oborri jonë dhe kemi përgjegjësi historike. Kam paralajmëruar në qershor për atë që mund të shohim në Kosovë, por mu hodhën poshtë. Mjerisht shqetësimet e mia u realizuan”, shkroi Kearns.
Kujtojmë se Zelensky tha gjatë ditës së djeshme që kanë informacione se Rusia ka një plan të gjatë dhe shpërqëndrimi i dytë pas Lindjes së Mesme do të jetë Ballkani.
“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne kemi informacione. Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani. Në fund të fundit, nëse partnerët nuk bëjnë diçka tani, atëherë do të ketë një ‘shpërthim’ atje përsëri, dhe sërish – kjo nuk do të jetë një histori e re. Marrëdhëniet e tyre kanë qenë në krizë për një kohë të gjatë. Prandaj, Rusia do të investojë sot që një vend ballkanik të luftojë një vend tjetër”, deklaroi presidenti ukrainas.