Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë një përditësim për foshnjat e evakuuara nga spitali Al-Shifa i Gazës gjatë fundjavës.
Gjithsej 33 foshnja të lindura para kohe po kujdeseshin në spital, i cili ishte bastisur nga trupat izraelite.
Duke folur për gazetarët në Gjenevë, zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier thotë se dy foshnja të lindura para kohe vdiqën përpara se të fillonte evakuimi të dielën, raporton BBC.
Ai thotë se kjo ishte “për shkak të mungesës së kujdesit në dispozicion të tyre”.
Nga 31 të evakuuarit nga spitali Al-Shifa, 28 u dërguan më pas në Egjipt. Unicef ka thënë se 20 prej këtyre fëmijëve ishin “të pashoqëruar”.
Zëdhënësi James Elder tha se disa prindër nuk kishin mundur të kalonin në Egjipt me fëmijët e tyre, ndërsa të tjerët ishin jetimë.