Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë synime drejt integrimeve evropiane.
Ajo bashkë me kryeministrin Albin Kurti ishin të pranishëm në ceremoninë e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë ku u shënua 111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.
Osmani u shpreh se ndjehet shumë e nderuar që në emër të popullit të përcjellë urimet më të ngrohta për Ditën e Pavarësisë.
“28 nëntori, shënon njohjen e Shqipërisë si shtet, por kjo datë e kthen në kujtesë edhe 28 Nëntorin e 1443, kur Skënderbeu shpalli të parin projekt integrues evropian, kur shqiptarët e bartën vulën e tij. Sot shteti shqiptar e mishëron projektin me shtetin, paqen dhe fqinjët”.
“Bashkëpunimi ynë në mbrojte të integritetit, zhvillimit të institucioneve e të tjera, janë themele tona të përbashkëta. Kemi detyrimit të punojmë së bashku për brezat që vijnë pas nesh, duke ruajtur atë që kemi ndërtuar me mund e sakrifica. Së bashku do të japin kontribut duke ecur përkrahë njëra tjetrës”, theksoi Osmani.
Kurse kryeministri Albin Kurti, tha se festimi i 28 Nëntorit është në kohën e duhur.
“28 Nëntori është datë themeltare e pavarësisë. 28-shi i Skënderbeut, Ismajl Qemajlit e Adem Jasharit janë filli historik i shqiptarëve. Shumë gjak, lot e djersë janë derdhur që ne të përparojmë”, tha Kurti.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se duhet të punohet bashkërisht drejtë një të ardhme më të mirë.
“Sot Shqipëria ka shumë arsye që të festoj krenare. Krenare për forcimin e shtetit të së drejtës, anëtare e palëkundur e NATO-s, Këshillit të Sigurimit dhe UNESCO. Secili prej jush të krenohet me të kaluarën tonë të lavdishme, të vazhdojmë të frymëzohemi nga 28 Nëntori 1912”, tha Malaj.