Stafi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale gjatë ditës së djeshme ishin cak i një kërcënimi serioz nga një person i armatosur. I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe i njëjti ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Skender Javori, 42-vjeçar.
Sipas burimeve, Javori është paraqitur te zyrat e KPMM-së dhe i njëjti ka kërkuar që të takojë zyrtarët e institucionit.
Pasi ai është ndalur nga punonjësi i sigurimit fizik, 42-vjeçari ka ekspozuar armën të cilën po e bartte me vete, çka ka bërë që kryeinspektori, Naim Sejdiu, të kërkojë menjëherë ndihmën e Policisë.
Sipas njoftimit të Policisë, njësitë policore gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar tek i dyshuari një pistoletë me karikator dhe tetë fishekë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pasi ka ekspozuar një armë-pistoletë dhe ka kryer veprën e lartcekur. Njësitet policore në vendin e ngjarjes gjatë kontrollit te i dyshuari kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator dhe 8-fishekë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe pas përfundimit të intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Javori do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.