Trupi gjykues në rastin tre ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë ndryshimin e kushteve të paraburgimit.
Bazuar në kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Gjykatës së Hagës, ky trup gjykues ka vendosur masa të përkohshme duke kufizuar komunikimin dhe vizitat për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ish-kreun e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Në arsyetim thuhet se këto kufizime janë të përshtatshme, duke pasur parasysh rrezikun e nxjerrjes së paligjshme të informacionit konfidencial nga objekti i paraburgimit.
“Kufizimet do të jenë në fuqi përkohësisht, deri në momentin kur Trupi Gjykues të lëshojë vendimin e plotë në lidhje me themelësinë e kërkesës ZPS-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.