“Bomba shpërthen pas 24:00” – Detaje për lajmërimin e rrejshëm në ‘Gate Club’, Policia nis hetimet

“Bomba shpërthen pas 24:00” – Detaje për lajmërimin e rrejshëm në ‘Gate Club’, Policia nis hetimet

Alarmi për eksploziv në diskotekën “Gate Club” në Prishtinë, në orët e para të ditës së sotme, ku ndodheshin një numër i madh njerëzish aktivizoi njësitin special kundër bombave që zbarkuan në këtë objekt.

Të gjithë të pranishmit u evakuuan, ndërsa u kryen kontrolle që rezultuan se nuk kishte asgjë të dyshimtë dhe paralajmërimi për shpërthim doli të jetë i rrejshëm.

Sinjali ka mësuar detaje të reja se si u njoftua Policia për rastin, për të cilin tashmë kanë nisur hetimet.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Policia e ka pranuar informacionin përmes një emaili, ku thuhej se brenda diskotekës “Gate” ndodhej një eksploziv, i cili do të shpërthente në orët e para të ditës së sotme.

Ky alarm vuri në lëvizje njësitet anti-bombë dhe K9, që intervenuan menjëherë në vendin e ngjarjes, prej ku u larguan të gjithë personat që ndodheshin brenda dhe kontrolluan të gjitha hapësirat e diskotekës.

Sipas të njëjtave burime, brenda dhe jashtë objektit rezultoi se nuk kishte mjete të dyshimta.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.

Related Articles