Në Shkup të Maqedonisë së Veriut, më 30 nëntor nis punimet samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me pjesëmarrjen e diplomatëve të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Pjesëmarrja e diplomatit rus u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Kjo ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.
Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.
Kryediplomati amerikan pas darkës joformale është larguar nga Shkupi duke shmangur kështu praninë e tij në një sallë me homologun e tij rus, Lavrov.
Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani, diplomati amerikan ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut për kryesimin me sukses të OSBE-në, ndërsa mirëpriti edhe përzgjedhjen Maltës si kryesuesen e radhës me këtë organizatës gjatë vitit 2024.
“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken.