Përkundër lehtësimit të masave dhe rasteve me COVID-19, mbrojtja nga virusi mbetet ende prioritet edhe gjatë pushimeve verore. Duke pasur këtë parasysh, kompania e hulumtimeve Pyper së fundmi bëri një hulumtim lidhur me ‘COVID-19 dhe pushimet verore’.
Është interesante të theksohet fakti se 85% e të anketuarve janë pro kalimit të pushimeve verore në bregdet përkundër situatës me pandeminë.
E prej të gjithë personave, vetëm 34% u shprehën të frikësuar se vajtjet për në pushime verore mund të rezultojnë në një valë të re të COVID-19.
Sidoqoftë, rreth 50% e të anketuarve pohuan se do të shkojnë në pushime verore këtë vit. Pjesa më e madhe e tyre, 69% planifikojnë të shkojnë me veturë në pushime pasi që po ky mjet i udhëtimit është konsideruar nga të anketuarit se ofron më së shumti siguri nga COVID-19.
Prej të gjithë të anketuarve që planifikojnë të shkojnë në pushime, 64% e tyre janë informuar paraprakisht si qëndron shkalla e infektimeve me COVID-19 në vendin ku planifikojnë t’i kalojnë pushimet.
Të anketuarit kanë pohuar se do të kujdesen për shëndetin e tyre duke përdorur shpesh dezinfektues për duar, 51%, duke e vendosur maskën në hapësira të brendshme 48% si dhe duke mbajtur shpesh distancën fizike ndaj personave tjerë, 42%.
E për dallim prej personave që planifikojnë të shkojnë në pushime verore, 19% e të anketuarve kanë pohuar se nuk do të shkojnë në pushime për arsye financiare.
Prej këtij grupi, 77% e tyre kanë pohuar se kjo është si rezultat i ndikimit të pandemisë në të ardhurat e tyre ose të familjes së tyre.
Hulumtimi i Pyper ka përfshirë 1178 persona anembanë Kosovës përmes një mostre jo të rastësishme.