Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, e kanë aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group” sh.p.k., në rastin e “Rrugës A”, duke e shtyrë ekzekutimin e vendimit, të nxjerrë nga organi shqyrtues i Prokurimit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për kërkesëpadinë,
Kujtojmë se në vendimin e marrë më 16 nëntor 2023, thuhej se çështja kthehet në rivendosje për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave ligjore.
Gjykata Komerciale më 17 tetor 2023, përmes aktvendimit e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”, shkruan Gazeta Sinjali.
Kundër këtij aktvendimi, në afatin ligjor ka paraqitur ankesë i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që gjykata të aprovojë ankesën si të bazuar dhe të prishet aktvendimi i lartcekur.
Gjithashtu, ankesë kundër aktvendimit të Gjykatës Komerciale, kishin parashtruar edhe palët e interesuara- Komuna e Prishtinës dhe “Sallahu” Sh.p.k.
Në anën tjetër, paditësi, ka paraqitur përgjigje në ankesat e palëve të lartcekura, me të cilën i ka kundërshtuar në tërësi pretendimet në ankesa dhe i ka propozuar Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale që të refuzohen në tërësi ankesat si të pabazuara dhe të mbetet në fuqi vendimi nr. KA.nr.181/23 i 17 tetorit 2023.
Kolegji i Dhomës së Shkallës së Dytë i Gjykatës Komerciale, vlerësoi ligjshmërinë e aktvendimit të ankimuar në kuptim të nenit 12 të Ligjit për Gjykatën Komerciale dhe nenit 194 të LPK-së, të zbatueshëm sipas nenit 63 të Ligjit për Konfliktet Administrative dhe nenit 49 të LKA- së, në drejtim të thënieve në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave tjera të lëndës ka gjetur se ankesa është e bazuar.
Në vendim, thuhet se Kolegji konstatoi që përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, Gjykata e shkallës së parë në vendimin e saj nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm përkitazi me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimit të paditurës.
Sipas vendimit të shkallës së dytë, Kolegji në vështrim të dispozitave ligjore të nenit 22 të LKA-së lidhur me kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, kontestuese në këtë fazë të procedurës vlerësoi se gjykata e shkallës se parë për objekt shqyrtimi dhe vlerësimi ka vetëm kriteret ligjore të përcaktuar në nenin 22 të LKA-se dhe jo edhe vlerësimin e ligjshmërisë se aktit administrativ kontestues.