Ditën e sotme ka reaguar për herë të parë nëna e 14 vjeçares të rrëmbyer dhe të vrarë në Maqedoninë e Veriut, ku dyshohet se i përfshirë në krim është edhe i ati i saj.
Përmes një deklarate për mediat në Maqedoninë e Veriut, në gjuhën serbe, ajo ka thënë se nuk i ka interesuar jeta e burrit.
“Jeta ime ishin fëmijët dhe puna ime. Ai kishte mbetur vetëm dhe kemi folur vetëm për fëmijët, thotë për ish-bashkëshortin e saj”, tha Zorica Gjorçevska.
Ajo thotë se nuk ka fjalë për të përshkruar ngjarjen dhe nuk e di ende pse ka ndodhur tragjedia.
“Unë nuk mund të flas. Ende nuk e di pse ndodhi kjo. Unë jam në pritje të një shpjegimi të të gjithë kësaj. Ende nuk e kuptoj se pse jeta ime normale u kthye në ferr”, shtoi Zorica Gjorçevska.
“Për mua është thjesht e pakuptueshme se si dhe pse vajza ime e bukur është tani në varr. Kam një sëmundje kronike, por po përmbahem, është e rëndësishme për mua të di të vërtetën, dhe vajza tjetër aktualisht është e sëmur, të gjithë shpresojmë se do të jetë më mirë. Ju lutem, po ju kërkoj shumë që të prisni derisa të kuptojmë pse ndodhi kjo,” tha ajo.
“Unë nuk di asgjë. E gjithë kjo për mua është joreale. Por ne kemi pesë vjet që jemi divorcuar dhe nuk e di se çfarë po bënte. Ne ishim në marrëdhënie të mira për shkak të fëmijëve. Ne nuk kemi debatuar për kujdestarinë apo edukimin, atë e kam lejuar t’i shohë kur të donte apo kur të donin fëmijët”, tha Zorica.
Më tej ajo shprehet se nuk e di nëse ish-bashkëshorti i saj kishte borxhe, pasi nuk ishte e përfshirë në jetën e tij. Ajo u lut mos ti bëjnë pyetje sepse edhe ajo nuk e kupton situatën që ndodhej.
Vrasja e Vanjës nga pesë personat e dyshuar, sipas prokurorisë, është ndihmuar edhe nga babai, Aleksandri, i cili vrasësve ju ka dhënë informacion për vendndodhjen e Vanjës. Sipas prokurorisë, babai këto informacione i ka dhënë që Vanja e rrëmbyer të përdoret si peng për të kërkuar para nga nëna, e cila kishte shitur një banesë dhe babai kërkonte pjesë nga ajo.