Institucionet e Kosovës, thonë se kanë ofruar gjithë informacionin e nevojshëm për qytetarët, lidhur me lëvizjen e lirë në shtetet e zonës Shengen, pas 1 janarit kur pritet të hyjë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se qeveria ka adresuar me kohë informimin e qytetarëve në mënyrë që mos të keqpërdorët liberalizimi.
“Ideja e fushatës ka garantuar dy aspekte: që qytetarët tanë të mund të lëvizin të lirë e me sa më pak barriera, pra nëse ka elemente shtesë në lidhje me udhëtimin jashtë, qytetarët të jenë sa më të informuar mbi kushtet e udhëtimit e ai tashmë të jetë kënaqësi e jo vështirësi siç ka qenë më parë, dhe e dyta është të sigurohemi që liberalizimi i vizave të mos keqinterpretohet dhe keqpërdoret, ku kemi shpjeguar se çka nënkupton e çka nuk nënkupton liberalizimi i vizave”, tha Besnik Bislimi.
Por, pavarësisht kufizimeve të përfshira në liberalizimin e vizave, ndër qytetarë ka mendime se liberalizimi do tu mundësojë edhe punësim në shtetet e zonës Shengen.
“Mundësitë ma t’mdhaja kushtet ma t’mira gjasat ma të lehta për me punu”, tha një qytetar.
“Mendoj që me ju thanë rrini hani veç bukë ajo nuk është jetë, kur një i ri nuk mundet me kriju familje qysh tani”, tha një qytetar tjetër.
“Kismet me shku me punu me majt familjen”, u shpreh qytetari.
Liberalizimi i vizave nënkupton lëvizjen e lirë të qytetarëve për vizita turistike dhe në asnjë rast nuk nënkupton mundësi punësimi në zonën shengen. Për vendet që e keqpërdorin liberalizimin, BE parasheh edhe masa të cilat mund të çojnë deri te anulimi i vendimit.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Gurakuç Kuçi, vlerëson se ikja e qytetarëve për punësim nuk do të shkaktojë telashe aq sa mund të shkaktojnë çështjet politike, siç është dialogu me Serbinë.
“Skenari më i keq i mundshëm për liberalizimin e vizave është siç u paralajmëru nga KE janë sanksionet për mos zbatim të marrëveshjeve dhe dialogut me Serbinë, mund të jetë edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe së bashku me sanksionet e tjera bëhet një pako e sanksioneve”, tha ai për Rtv21.
Hyrja pa vizë në Bashkimin Evropian nuk është e garantuar.
Hyrja mund te refuzohet nga policia kufitare në rast të pasaportës jovalide dhe me afat të pamjaftueshëm, nëse nuk dëshmohet qëllimi i udhëtimit dhe mjetet e mjaftueshme financiare për qëndrimin e planifikuar në zonën Shengen, apo nëse tejkalohet 90 ditëshi i qëndrimit.