Në një aktivitet me rastin e 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë, kryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se kjo datë pas pavarësisë së Shqipërisë, pati rolin më përcaktues për kombin shqiptar.
“Në histori nuk ka një datë të dytë tjetër, e cila solli për shqiptarët, një epokë që ata nuk e kishin përjetuar kurrëmë parë. Komb i sundimeve qindravjeçare perandorake, të dominuara nga perandoritë, i mbretërive, i diktaturave staliniste. Më datën 8 dhjetor, studentët nisën lëvizjen e tyre, lëvizje që do ndante epokat për shqiptarët”, u shpreh Berisha.
“Dhe ata studentë nuk kishin asnjë armë tjetër përveç guximit të tyre. Ata në fakt ishin në vetmi, nuk kishin askënd përveç njëri-tjetrit. Ata ishin të braktisur në atë rrugë, por nuk u mposhtën”, tha ai.
“Sot, duhet të jemi realistë. Dhjetori kishte fillimin, ngjitjen, por përjetoi edhe rënien e tij. Kjo është e vërteta. Ndaj dhe ne sot, mblidhemi këtu për ta nderuar atë me libra. Asnjë datë tjetër, asnjë ditë tjetër, asnjë lëvizje tjetër në historinë e kombit nuk i dha atij më shumë mbarësi sa dhjetori”, vijoi Berisha.
“8 dhjetori e ka mesazhin, thirrje për rininë. Dhe PD do mund ta fitojë këtë betejë dhe do e fitojë, me një kusht të vetëm, angazhimin, mobilizimin e të rinjve shqiptarë, e atyre që kanë mbetur këtu, që i kanë rezistuar gjenocidit të Edi Ramës”, tha Berisha.