Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e një dite më parë të 41-vjeçarit, Elton Javorit në lagjen “16 Prilli” në Fier të Shqipërisë.
Në vijim të veprimeve hetimore, sipas policisë së Fierit, nga një automjet tip “Benz”, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Fuoristradë” e cila drejtohej nga viktima.
Më pas 41-vjeçari i është kundërpërgjigjur, ku ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë Elton Javori.
Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë vëllezërit A. G., 35-vjeç dhe K. G., 33-vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Nga shikimi në vendin e ngjarjes, në afërsi të automjetin tip “Fuoristradë”, u gjet një armë zjarri pistoletë me numër të paidentifikuar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit A. G. dhe viktimës për motive të dobëta.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasve A.G. dhe K.G., të dyshuar për kryerjen e veprës penale vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak. /tch