Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund.
Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Varosh të Ferizajt, ku është vjedhur një veturë, e po ashtu edhe një armë.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar pronari i veturës, i cili ka deklaruar se hajnat ia kanë vjedhur veturën nga garazhi, si dhe janë futur edhe në shtëpi, ku e kanë “avulluar” një armë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.