Vuçiq kërkon ta fitojë shumicën absolute në Kosovë, e angazhon edhe Radoiçiqin për t’i bindur serbët

Vuçiq kërkon ta fitojë shumicën absolute në Kosovë, e angazhon edhe Radoiçiqin për t’i bindur serbët

Për të siguruar “mbështetje absolute” të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Progresive Serbe dhe Lista Serbe angazhuan të gjitha resurset shtetërore, qendrat shëndetësore, institucionet arsimore, qendrat për punë sociale, shkruan Radio Gorazdevaci.

Sipas këtij mediumi, Milan Radoiçiq, përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës dhe i cili u shpall në kërkim nga Interpoli, është angazhuar në këtë mision, duke i takuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Rashkë në gjysmën e dytë të nëntorit.

Disa burime kanë konfirmuar për Radio Gorazhdecin se në takimin me kryenegociatorin serb, Peter Petkoviq në fund të nëntorit në Rashkë janë ftuar vetëm zyrtarët e Partisë Progresive Serbe dhe se përveç takimit me Petkoviqin, dyshohet se ka pasur një takim të veçantë me Milan Radoiçiqin, i cili për shkak të ngjarjeve në Banjskë është shpallur në kërkim nga Interpoli.

Ky medium, po ashtu shkruan se po punësohet njerëz pa konkurs dhe se po ushtrohet presion ndaj serbëve për ta mbështetur partinë e Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit.

Nga e ashtuquajtura zyrë për Kosovën në qeverinë serbe nuk i kanë kthyer përgjigje këtij mediumi në lidhje me takimin e përfaqësuesve serbë me Petkoviqin dhe Radoiçiqin.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale të Serbisë janë caktuar për 17 dhjetor, gjatë të cilave serbët e Kosovës do të mund të votojnë në Rashkë, Tutin, Bujanoc dhe Kurshumli. Ky është procesi i dytë zgjedhor i organizuar nga Serbia, në të cilin serbët nga Kosova duket se nuk do të votojnë në Kosovë. Për këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që Serbia të kërkojë një marrëveshje paraprakisht.

Related Articles