Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetarët në Kosovë dhe Shqipëri. Një vajzë 23-vjeçare nga Shqipëria, e cila vuan nga probleme mendore, dyshohet se është dhunuar seksualisht nga dy persona në Pejë. Lidhur me rastin tashmë janë arrestuar Shaban Berisha dhe Ismet Gogaj.
Lidhur me rastin ka folur për Sinjalin edhe vetë ish-deputeti Berisha, i cili tha se nuk ka ende informacione se çfarë ka ndodhur dhe s’ka pasur kontakt me babanë e tij sot.
“Jam duke ardhë rrugës, për qatë rastin që po flitet. Nuk kam qasje kontakt te baba hala, jam rrugës t’u shku. Nuk e di. Jam t’u shku, edhe pa shku me vërtetu nuk e di. Ju betohem që asnjë informacion nuk e kam. Kam qenë në Zvicër në udhëtim zyrtar, parmbramë jam kthy, mbramë kam folë me to [babanë], ka qenë gjithçka në rregull. Jam t’u u ni tepër keq, iu lus për mirëkuptim se nuk e di çka ka ndodhë”, tha Berisha.
Përpos Shaban Berishës, në pranga ka rënë dhe Ismet Gogaj, pasi dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të dhunimit, duke keqpërdorur seksualisht 23-vjeçaren, e cila fillimisht ishte raportuar e zhdukur.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se me urdhër të prokurorit është sekuestruar edhe vetura që dyshohet se është përdorur nga të dyshuarit për kryerjen e veprës penale.
Po ashtu, është siguruar edhe vendi ku dyshohet se ka ndodhur rasti.
Gogaj dhe Berisha janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tyre pritet të merren masa ligjore.
Ndryshe, rasti i rëndë u zbulua pasi motra e viktimës erdhi në Kosovë për ta kërkuar atë dhe si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, vajza u gjet në Pejë.
Pasi vajza u gjet, gjendja e saj nuk ishte e mirë dhe e njëjta u dërgua për ekzaminimet e nevojshme, teksa njësitet policore u vënë menjëherë në lëvizje për të zbuluar se kush janë personat e dyshuar.