Avokati i familjes Dehari pretendon se gazetari kishte siguruar dhe publikuar incizimet nga kamerat e sigurisë së burgut të Prizrenit para se ato t’i kishte në dispozicion prokurori i rastit. Gashi kërkon epilog nga Prokuroria Speciale për vdekjen e Astrit Deharit , ndërsa thotë se familja vazhdon të presë zbardhjen e plotë të rastit.
Avokati Tomë Gashi ka ngritur akuza ndaj gazetarit Baton Haxhiu lidhur me mënyrën e trajtimit të opinionit publik në ditët pas vdekjes së Astrit Deharit, duke pretenduar se publikimi i incizimeve nga kamerat e sigurisë së burgut të Prizrenit ishte bërë me qëllim të manipulimit të opinionit.
Gashi, i cili përfaqëson familjen Dehari, ka deklaruar se ish-drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu, kishte marrë një CD me pamje nga korridori dhe hapësira të tjera të burgut të Prizrenit dhe i kishte publikuar ato para se prokurori që po e trajtonte rastin t’i kishte në dispozicion.
Sipas avokatit, kjo ishte një nga çështjet më të dhimbshme në gjithë zhvillimin e rastit, pasi, siç pretendon ai, përmes publikimit të këtyre pamjeve ishte tentuar të ndikohej në perceptimin e publikut për vdekjen e Astrit Deharit.
