19-vjeçari ndalet nga Policia në Prishtinë, i gjejnë armë ilegale dhe municion

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në afërsi të parkut të Gërmisë, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë brenda së cilës ndodheshin tre persona.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit, njërit prej të dyshuarve i është gjetur armë zjarri me karikator dhe fishekë. 19-vjeçari është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa pasagjerët, përfshirë një vajzë e mitur, kanë dhënë dëshmitë e tyre si dëshmitarë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Related Articles