Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë.
Ata jo rrallë herë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.
Kështu veproi edhe një person në Gjakovë, i cili gjatë ditës së djeshme përfundoi në Polici.
Sinjali mëson se 52-vjeçari kishte incizuar pamje ku shihej ai duke përdorë një armë zjarri dhe kjo u bë sebep që të arrestohet.
Burimet bëjnë me dije se arma në fjalë është sekuestruar dhe e njëjta ka rezultuar të jetë në pronësi të familjarit të të dyshuarit, i cili jeton dhe vepron jashtë vendit.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.