Një person ka mbetur i plagosur mbrëmë në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Fushë Kosovë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri pas një konflikti verbal me dy persona tjerë të dyshuar.
Lidhur me rastin, sipas Policisë, janë arrestuar dy persona të dyshuar, përfshirë të plagosurin – teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore për identifikimin dhe kapen e dy të dyshuarve tjerë.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë Liridon Alija 21-vjeçar, Elvin Gashi 20-vjeçar dhe Erion Alimehaj 20-vjeçar.
Alija dhe Alimehaj tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, ndërsa Gashi është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nuk dihet ende vendndodhja e tij.
Si ndodhi e gjithë ngjarja?
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në parkingun e një pompe derivatesh. Pas një konflikti verbal mes Liridon Alijajt dhe Erion Alimehajt në njërën anë dhe tjetrën anë dy të dyshuarve që s’janë identifikuar ende, njëri prej këtyre dy të fundit ka shtënë në drejtim të Alimehajt.
Në atë moment ka reaguar edhe Alija, i cili dyshohet se ua ka drejtuar armën të dyshuarve me të cilët i kishte zënë sherri.
Alimehaj është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku po vazhdon trajtimin mjekësor nën përcjelljen e Policisë.
Ndërkohë Alija është shoqëruar në stacion policor dhe të njëjtit i është sekuestruar arma që e bartte me vete.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor, teksa rasti është iniciuar për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, ose posedim të paautorizuar i armëve’ dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’. Po ashtu po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve tjerë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.