Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër zyrtares së Financave në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Sipas aktakuzës, F.G., si person zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar rreth 5 mijë euro, pasuri kjo e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së saj.
“Prej periudhës kohore 28.06.2022 e deri me datë 12.08.2022 prej reparteve të Oftalmologjisë, Dializës dhe Emergjencës, në arkë ka inkasuar para në vlerë prej 36,143.38 euro euro ndërsa në xhirollogarinë e Spitalit ka deponuar vetëm 31,385.00 Euro dhe kësisoj ka përvetësuar shumën prej 4,758.38 euro dhe për shumën e njëjtë i ka shkaktuar dëm financiar Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, në Prizren.”
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e njëjta të dënohet sipas ligjit.