Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të premten në Vushtrri, ku një person nga pakujdesia ka goditur një grua shtatzënë, e cila tashmë është konfirmuar se ka humbur binjakët e saj.
Viktima është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se shoferi që shkaktoi aksidentin është Gani Veliu, 67-vjeçar, ndaj të cilit tashmë kanë nisur hetimet, pasi dyshohet se shkaktoi aksidentin, duke e goditur këmbësoren në vija të bardha.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndaj tij masën e ndalimit policor, teksa gruaja që ishte në pritje të ëmbël dhe fatkeqësisht humbi binjakët, po vazhdon të marrë trajtim mjekësor në spital.
Nga Policia kanë konfirmuar se i dyshuari nga pakujdesia e ka goditur viktimën, teksa po lëvizte në fshatin Dobërlluk të Vushtrrisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.