Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka kërkuar dje që të hapen arkivat e UÇK-së, raporton Gazeta “Enigma”.
Vuçiq gjatë deklarimit të tij ka deklaruar se ka të dhëna për varreza masive me civilë dhe ushtarë serbë.
Këtyre pretendimeve, iu është përgjigjur Faton Klinaku i cili për Gazetën “Enigma”, ka thënë se nuk ka asgjë për t’u fshehur në këto arkiva, derisa i ka kërkuar Serbisë që t’i hapë arkivat për krimet dhe masakrat që i ka kryer ndaj shqiptarëve.
“Vuçiq, arkivat e UÇK-së kanë qenë të hapura për publikun, ato janë edhe të hapura sepse nuk ka se çfarë të fshihet në to. Hapni ju Serbia arkivat, tregoni krimet dhe masakrat që i keni bërë ndaj shqiptarëve dhe zbuloni edhe varrezat që i keni fshehur me vite të tëra”, ka theksuar ai. /Gazeta Enigma.