Sot u raportua për arrestimin e dy personave në Gjilan, të cilët dyshohet se pak net më parë janë përfshirë në një rast të të shtënave me armë në lagjen Kamnik. Dy të dyshuarit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për dy të rinjtë Fitim Rrudhani 26-vjeçar dhe Arbër Krasniqi 25-vjeçar.
Nga mbledhja e informacioneve fillestare, fillimisht është identifikuar Rrudhani si një prej të dyshuarve kryesorë, i cili dyshohet se ka shtënë me armë automatike.
Banesa e tij ishte cak i Policisë, të cilët kontrolluan hapësirën për të gjetur diçka të dyshimtë që mund të lidhet me rastin.
Sinjali mëson se 26-vjeçari bashkë me Krasniqin janë paraqitur në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë, por që kanë mohuar të jenë përfshirë në ngjarje.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.