Kontrabandimi i mallrave dhe shmangia e kontrollit doganor përbën vepër penale dhe kushdo që vepron kundërligjshëm mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet. Raste të tilla janë mjaft të shpeshta dhe jo rrallëherë zyrtarët policorë përballen edhe me kanosje e sulme.
Një rast i tillë ka ndodhur të enjten në fshatin Smirë në Viti, ku Policia ka kapur në flagrancë një veturë, që po bartte mall të kontrabanduar, rreth 30 pako me cigare.
Por ndalimi i të dyshuarve nuk ishte fort i lehtë, pasi zyrtarët policorë fillimisht u ballafaquan me rezistencën e të dyshuarve, që shpërfillën urdhrat policorë e më pas shkaktuan aksident. Siç mëson Sinjali, vetura në të cilën ndodheshin të dyshuarit është aksidentuar me automjetin zyrtar të Doganës.
Për pasojë, të dyshuarit nuk arritën të shpëtonin nga prangat e Policisë, por i kërcënuan me vrasje zyrtarët policorë, e madje njëri prej tyre edhe e ka sulmuar fizikisht njërin nga policët, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Që të mos eskalojë situata, Policia është detyruar të përdor sprej dhe më pas të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa automjeti dhe malli i kontrabanduar janë konfiskuar nga Dogana.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve dhe inicimin e hetimit ndaj tyre.