Gërvalla e Murati “bojkotojnë” mbledhjen e Qeverisë për çlirimtarët

Gërvalla e Murati “bojkotojnë” mbledhjen e Qeverisë për çlirimtarët

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ku u miratua themelimi i grupit punues për bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procedurat e Apelit, kanë munguar ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ajo e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

Nuk dihet nëse mungesa e tyre është për shkak të qëndrimit të tyre për UÇK-në apo për ndonjë arsye tjetër. Vite më parë, Murati pati deklaruar se më lirë do të dilte po të angazhoheshin mercenarë sesa pagesat e veteranëve të UÇK-së.

“Bile edhe mercenarë më pas angazhu na kish dalë ma lirë – 3 muj ka 2 mijë euro bajnë 6 mijë euro për kry – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtue veç 120 milion euro gjithsej. Edhe as falemnderit s’kish pasë nevojë me ju thanë”, shkruante ai.

E Gërvalla pati deklaruar se ka dosje të tëra që i ka mbledhur dhe i ka dërguar diku jashtë vendit.

“Unë kam dëshmi madje me shkrim, në zarfe të mbyllura të cilat i janë paraqitur organeve të ndryshme. I kam personalisht në shtëpinë time në Bon”, thoshte ajo.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë (14 tetor), ka miratuar vendimin për formimin e një Grupi Punues, i cili do të bëjë bashkërendimin e veprimeve sa i përket çështjes së apelimit të vendimit të Gjykatës Speciale, e cila dënoi me 81 vjet burg krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryesues i këtij Grupi është caktuar Glauk Konjufca, ministër i Jashtëm i Kosovës. Aty do të ketë edhe përfaqësim parlamentar.I pari i Qeverisë, Albin Kurti, tha se pret “korrigjim të vendimit” të shkallës së parë nga ana e Gjykatës së Apelit në Hagë.

“Aktgjykimin në shkallë të parë e konsiderojmë të padrejtë juridikisht dhe moralisht. Me pasaktësi historike dhe juridike. Prandaj punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit. Për të, nevojitet strategji shtetërore kombëtare”, tha Kurti.

Muajin e kaluar, Gjykata Speciale i ka dënuar me 81 vjet burgim në total 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Related Articles