Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë ilegale. Për pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Rugovë të Pejës, ku një person i mitur dyshohet se është plagosur me armë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bëjnë me dije se 14-vjeçari është dërguar atje për ndihmë mjekësore, pasi kishte plagë që dyshohet t’i jetë shkaktuar nga arma e zjarrit.
Ekipi mjekësor ka intervenuar menjëherë duke i dhënën ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Sinjali mëson se një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.