Janë bërë dy muaj qysh nga dita ku dy zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore u përfshinë nga zjarri. Fatmirësisht të lënduar në njerëz nuk pati, përveç dëmeve materiale. E renovimi i objektit ende s’ka filluar. Nga ministria e Drejtësisë kanë treguar arsyet.
As pas dy muajsh nga djegia e dy zyre në Institutin e Mjekësisë Ligjore s’kanë filluar renovimet në objekt. Në zjarrin e 21 nëntorit të vitit të kaluar u dogjën dy zyre, përfshirë atë të drejtorit.
Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë për Express se renovimi i hapësirave të IML-së nuk kanë filluar ende. Nga ministria thonë se janë në fund të procesit të vlerësimit të dëmeve dhe sigurisë së objektit në përgjithësi, proces i cili pritet të përfundojë gjatë javës.
“Renovimi i hapësirave të IML-së ende nuk ka filluar pasi që jemi në fund të procesit të vlerësimit të dëmeve dhe sigurisë së objektit në përgjithësi. Ky proces pritet të përfundojë brenda javës dhe pastaj në bazë të rekomandimeve nga raporti i vlerësimit do të fillojë renovimi i hapësirave në përgjithësi të IML-së. Arsyeja qëndron se vlerësimi është duke u kryer nga një ekip multidisiplinar nga UP-ja dhe përfshinë jo vetëm vlerësimin e dëmeve, por edhe sigurisë së objektit në kuptim të mbrojtjes nga zjarri, instalimit elektrik, etj”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.
Tutje, zyrtar nga ministria pohuan se nuk kanë afat të caktuar se kur pritet të fillojë renovimi.
“Nuk kemi afat të caktuar, mirëpo renovimi duhet të fillojë sa më parë që është e mundur, duke marrë parasysh edhe procedurat e prokurimit të cilat mund marrin kohë”, ka thënë tutje ai.
Express ka provuar të kontaktojë edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por të njëjtit as pas një jave nuk kanë kthyer përgjigje për të treguar për vazhdën e hetimeve.
Mirëpo ditën kur ndodhi zjarri nga Prokuroria Themelore e Prishtinës patën bërë të ditur për
Express se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për t’i sqaruar shkaqet e zjarrit.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ulaj, thotë se Prokurori i Shtetit është duke pritur raportin me gjetjet nga ekzaminimet në vendin e ngjarjes. Sipas saj, prokuroria ende është në fazën e hetimit dhe për të mos e paragjykuar rastin, ajo thotë se nuk mund të japë ndonjë vlerësim për shkaqet e zjarrit dhe dëmet e shkaktuara.
“Eventualisht, në rast se paraqiten elemente të ndonjë vepre penale, atëherë [prokuroria] do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me dispozitat e Kodit të procedurës penale të Kosovës”, theksoi Ulaj.
Në media u raportua se gjatë zjarrit në IML janë djegur edhe mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit.
Për këtë çështje u pati deklaruar edhe u.d. i drejtorit të IML-së, Ditor Halitit.
Ai pati thënë për T7, se në zyre është djegur inventari dhe dokumentacioni, ndërsa sa i përket mustaqeve të Adem Jasharit dhe gishtit të Isa Boletinit tha se kanë qenë dhuratë për ish -drejtorin Arsim Gërxhaliu.
“Sa i përket dokumentacionit, një pjesë e tyre është e ruajtuar edhe nëpër server, ndërkaq inventari është djegur tërësisht, sa i përket mustaqeve të Adem Jasharit dhe kockave të gishtit të Isa Boletinit, ato nuk ndikojnë në punën tonë pasi ishin dhuratë personale për dr, Arsimin”, ka thënë ai.
Brenda vitit të kaluar, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) i Kosovës është kapluar dy herë nga zjarri.