Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, këtë të premte do të vendosë nëse do të lëshojë masa urgjente, të cilat urdhërojnë Izraelin ta ndalë luftën e tyre në Gaza.
Çështja ka mbërritur në GjND pasi Afrika e Jugut, i ka kërkuar gjykatës të nxjerrë nëntë masa të përkohshme, duke përfshirë ndalimin e aktivitetit ushtarak nga Izraeli, teksa ka thënë se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza.
Pas akuzave për gjenocid, Izraeli ka reaguar fuqishëm, duke thënë se Afrika e Jugut po e shtrembëron të vërtetën dhe se ata kanë të drejtë të mbrohen, teksa ka shtuar se shënjestër e Izraelit janë luftëtarët e Hamasit dhe jo civilët palestinezë, shkruan BBC.
Izraeli i ka kërkuar gjykatësve ta hedhin poshtë kërkesën e Afrikës së Jugut, ndërsa marrja e një vendimi këtë të premte nga 17 gjyqtarët, ku 15 janë të përhershëm, një nga Afrika e Jugut dhe një nga Izraeli duhet t’u përgjigjen dy pyetjeve.
Së pari, gjyqtarët duhet të përgjigjen nëse Afrika e Jugut ka përmbushur testin bazë për të treguar se pretendimi i saj kundër Izraelit mund të trajtohet sipas Konventës së OKB-së për gjenocid.
Dhe së dyti, gjyqtarët duhet të përgjigjen nëse ekziston një rrezik për një dëm të pariparueshëm për popullin palestinez në Gaza, nëse veprimet ushtarake të Izraelit vazhdojnë.