Gjykata kryesore e Kombeve të Bashkuara më 31 janar do të japë vendimin lidhur me rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë për dyshime të “financimit të terrorizmit” dhe “diskriminimit racor”, pasi Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë më 2014.
Kievi e ka akuzuar Rusinë se është “shtet terrorist”, mbështetja e të cilës për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës ishte pararojë e pushtimit në shkallë të plotë që Moska nisi kundër Ukrainës më 2022.
Ukraina kërkon që Rusia të kompensojë të gjithë civilët që i përfshiu konflikti, por edhe viktimat e fluturimit MH17 të Malaysia Airlines, i cili u rrëzua në lindje të Ukrainës.
Ky rast është ngritur para nisjes së pushtimit të Ukrainës më 2022. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) do të vendosë nëse ka juridiksion për të vendosur për një rast të veçantë sa i përket luftës.
Rusia gjendet në bankën e të akuzuarve edhe për pretendimet se ka shkelur konventën ndërkombëtare për diskriminim racor për shkak të trajtimit të minoritetit tatar dhe ukrainasfolësve në Krimenë e pushtuar.
Gjatë seancave dëgjimore për këtë rast, Alexander Shulgin, ambasadori rus në Holandë, e akuzoi Ukrainën për “gënjeshtra të kulluara dhe akuza të rreme… edhe ndaj kësaj gjykate”.
Diplomati kryesor ukrainas, Anton Korynevych, raportoi se Rusia po tenton “që të na zhdukë nga faqja e dheut”.
“Duke filluar më 2014, Rusia pushtoi paligjshëm Krimenë dhe u përfshi në një fushatë të spastrimit kulturor, duke shënjestruar ukrainasit etnikë dhe tatarët e Krimesë”, tha Korynevych.
Rasti para GJND-së ka nisur më 2017 dhe ka pasur seanca të gjata në GJND, plus mijëra faqe dokumente që janë dorëzuar në gjykatë.
Rasti është pjesë e një strategjike “ligjore” të zhvilluar nga Ukraina kundër kundërshtarit të saj, pasi Kievi e ka dërguar në gjykatë Moskën edhe për ligjin detar dhe shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut.
Më 2017, GJND-ja refuzoi kërkesën fillestare të Kievit për masa emergjente për të ndaluar Rusinë që të financojë separatistët.
Atëbotë, gjykatësit thanë se Ukraina nuk kishte sjell para gjykatës të dhëna të mjaftueshme për këtë të dëshmuar se fondet nga Moska po përdoreshin “për të shkaktuar vdekje apo lëndime serioze trupore ndaj civilëve”.
Megjithatë, GJND-ja urdhëroi Moskën që të përmbahej nga vendosja e “kufizimeve” ndaj tatarëve të Krimesë.
GJND-ja, me seli në Hagë, vendos për mosmarrëveshjet mes shteteve dhe shpesh kjo gjykatë ngatërrohet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) që ndjek penalisht individët për krime lufte.
Vendimet e GJND-së janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen, por gjykata ka pak fuqi që të detyrojë zbatimin e tyre.
Për shembull, GJND-ja publikoi një vendim urgjent duke urdhëruar Rusinë që të ndalë pushimin një muaj pasi nisi pushtimi, por Rusia nuk e respektoi urdhrin.