Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se nesër do të paraqes të gjitha të gjeturat dhe keqpërdorimet flagrante në njësitë për patentë shoferë në të gjithë vendin.
Durmishi tha se këtë do ta bëjë nëpërmjet një konference për media që do të mbahet në Njësinë për Patentë Shoferë, tek Stacioni i Autobusëve në Prishtinë nga ora 13:00.
Në lidhje me dyshimet për dallavere për patentë shoferë, dy zyrtarë janë arrestuar më 18 janar të këtij viti.
“Hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare/Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e kanë trajtuar informatën ku dyshohet se, zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren, lëshojnë certifikata mjekësore për kandidatet të cilët paraqesin provimin për patentë shofer, pa qenë fizikisht prezent në klinikë dhe pa ua bërë kontrollin mjekësor. Po ashtu, dyshohet se kjo klinikë bashkëpunon me dy auto-shkolla, njëra me seli në Prizren dhe tjetra me seli në Malishevë”, ka bërë të ditur policia.