Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka reaguar mbrëmë në orët e vona nëpërmjet një komunikate, ku ka shprehur shqetësimin e tij për “veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë”.
Siç bëhet e ditur, ambasada e ShBA-së në Kosovë është shprehur e shqetësuar lidhur me operacionet e fundit të kryera nga Policia e Kosovës – nën direktivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme – “për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia”, i destinuar për shpërndarjen e pagesave të përfitimeve sociale nga Serbia.
Ambasadori Hovenier theksoi rëndësinë e sigurimit që këto pagesa të mbërrijnë të personat e destinuar “pa vonesë”.
“Ato përfshijnë operacionet e kryera nga Policia e Kosovës në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javës së kaluar në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, si në OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë. Jemi të shqetësuar edhe nga aksioni i Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë.” – thuhet në reagim.
Për më tepër, deklarata u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të shtyjnë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedurat në përputhje me standardet evropiane.
“Ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre.” – thuhet në reagim.
Hovenier theksoi rëndësinë e përkushtimit të Kosovës për të nxitur një demokraci plotësisht multietnike. Ai ritheksoi domosdoshmërinë e adresimit të çështjeve përmes procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Deklarata e plotë e ambasadorit Hovenier:
Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ato përfshijnë operacionet nga Policia e Kosovës, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë javës së kaluar në zyret e institucionet e administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog, Klinë dhe në OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.
Ne jemi të shqetësuar edhe nga aksionet e Policisë së Kosovës sot për të sekuestruar dinarë serb dhe automjetin transportues që distribuonte pagesat e përfitimeve sociale nga Serbia.
Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë destinuar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë.
Është përgjegjësia e Qeveria së Kosovës që të promovojë vizionin e parashtruar si themelues dhe të parashikuara në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën: një demokraci plotësisht multietnike që i përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj.
Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme, derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre.