Grupi Houthis pretendon për sulme të reja në Detin e Kuq

Grupi Houthis pretendon për sulme të reja në Detin e Kuq

Lëvizja Houthis e Jemenit thotë se ka gjuajtur raketa në dy anije në Detin e Kuq.

Udhëheqësi i grupit Abdul Malik al-Houthi paralajmëroi se grupi i tij do të “përshkallëzonte situatën edhe më tej” nëse lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza nuk përfundon.

Houthis shënjestroi anijet “Star Nasia” dhe “Morning Tide”.

“Star Nasia” që është në pronësi greke u dëmtua, por askush nga ekuipazhi i tij nuk u lëndua, tha një zyrtar grek për Reuters.

Furadino Shipping, pronari britanik i “Morning Tide”, tha se kishte një shpërthim pranë anijes, por se ajo ishte e padëmtuar dhe askush nuk u lëndua dhe anija ishte në gjendje të vazhdonte rrugën e saj.

Sulmet e fundit nga grupi vijnë pas një vale sulmesh ajrore nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe në ditët e fundit, duke përfshirë një sulm të hënën që Komanda Qendrore e ShBA-së tha se goditi dy automjete sipërfaqësore me eksploziv pa ekuipazh.

Sulmet e mëparshme gjatë fundjavës goditën raketat Houthis, deklaruan nga ShBA-ja. Më shumë se 30 objektiva u goditën në valën e tretë të sulmeve të përbashkëta të Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së të shtunën. ShBA-ja ka kryer gjithashtu disa raunde sulmesh pa përfshirjen e Britanisë.

Agjencia e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) konfirmoi të martën se kishte marrë raportime për një sulm në një anije pak pas mesnatës në Detin e Kuq, në perëndim të qytetit jemenas të Hodeidah.

Ndërkaq, firma britanike e sigurisë detare Ambrey tha se një anije mallrash e përgjithshme në pronësi të një kompanie britanike dhe që lundronte nën një flamur të Barbados kishte pësuar dëmtime nga një sulm ndërsa lundronte nëpër det.

Houthis është një grup aleat i Hamasit që i konsideron të gjitha anijet izraelite, amerikane dhe britanike si objektiva legjitime pas luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza. Ky grup pretendon se synim i kanë vetëm anijet që kanë lidhje me këto vende.

Që nga nëntori, grupi i cili kontrollon një pjesë të konsiderueshme të Jemenit ka nisur dhjetëra sulme ndaj anijeve tregtare që udhëtojnë nëpër Detin e Kuq. Këto sulme kanë ngadalësuar tregtinë ndërkombëtare, duke rritur frikën për pengesat e furnizimit, shkruan BBC

Related Articles