Ish-bashkëshortja e Francesco Tottit, Ilary Blasi, përmes avokatëve të saj, ka kaluar në sitë llogaritë e ish-kapitenit të Romës, duke zbuluar se ai ka luajtur mbi 3 milionë euro në kazino.
Duket se në periudhën nga shtatori 2020 deri në shtator 2023, ish-lojtari italian ka shpërdoruar 3 milionë e 324 mijë euro për bixhoz, përmes transfertave të ndryshme bankare, pjesa më e madhe e të cilave në kazinotë e Monte Carlos.
Sipas La Verità, tensioni midis Totti dhe Blasi është shumë i lartë, pavarësisht vendimeve të gjyqtarëve që vendosën një shumë prej 12.500 euro që ish-sulmuesi duhet të paguajë çdo muaj për ish-bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
“Me hidhërim të thellë dhe shqetësim të madh, zonja Blasi mësoi se burri i saj, babai i fëmijëve të saj, mesatarisht harxhon në kazino 6.5 herë më shumë se sa u jep fëmijëve të tij në mua”, thanë përfaqësuesit ligjor të Blasit në gjyq.
Ajo gjithashtu ka mbajtur në vëzhgim stilin e tij të jetesës, duke e akuzuar për mbajtjen e llogarive të fshehta në Singapor. Blasi e akuzon kapitenin legjendar të Romës për sjellje të pakujdesshme ndaj fëmijëve dhe vonesa në pagesat mujore të çeqeve.
Kampioni duket se ka qenë neglizhent edhe për sa i përket kujdestarisë së vajzës së tij Isabelës, të cilën e ka lënë vetëm në hotel në një rast për të marrë pjesë në një event.
Ndërkohë, procesi i ndarjes vazhdon. Gjyqtarja Simona Rossi vendosi t’i japë përparësi çështjes së akuzës, duke e shtyrë aspektin ekonomiko-financiar të divorcit për një kohë të mëvonshme.